Dorjan Abazi, 18 vjeç, është arrestuar nga policia e Durrësit pasi ka tentuar të vjedhë me dhunë tre shtetase italiane.
Policia ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë edhe dy vjedhje të kryera me dhunë nga i riu.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”, shtetasi Dorjan Abazi, banues në Durrës”, njoftoi ditën e sotme policia.
I riu, dyshohet se në orët e para të mëngjesit në lagjen nr.13, Durrës, ka tentuar t’iu vjedhë me dhunë sendet personale, 3 shtetaseve italiane,.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 27.04.2025, në lagjen nr. 13, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale, dhe më datë 28.04.2025, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale.
Gjatë kontrollit në banesën e 18-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara të vjedhura.
Në lidhje me hetimet e kryera, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi E. D., 36 vjeç, banues në Durrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas./vizionplus.tv






sa idiotë ka kjo dynja