Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet sot në Prizren për të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku janë mbledhur të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse të rajonit.

 

Me këtë rast, Veliaj zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me të cilin diskutoi mbi rëndësinë e platformës së bashkëpunimit mes komunave dhe bashkive shqipfolëse në rajon, sidomos për të rinjtë.

 

“Sot, në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ne nuk diskutojmë për forcë që po na pushton, nuk lipset të marrim armët dhe të luftojmë në rrugë e male, por lipset të marrim dije, lipset t’iu mësojmë të rinjve se cilat janë armët e së ardhmes, të nxisim të rinjtë të kodojnë etj. Mezi pres që ta rrisim bashkëpunimin mes nesh dhe jam shumë optimist që, përmes platformës së Unionit të Bashkive shqipfolëse të mësojmë më shumë prej njëri-tjetrit, për të marrë idetë e mira dhe t’i sjellim në Tiranë, ndërkohë që gjërat që funksionojnë në Tiranë, mund t’i provojmë edhe këtu në Prizren”, u shpreh Veliaj.

 

Ai veçoi edhe disa prej projekteve konkrete që tashmë funksionojnë mes dy qyteteve.

 

“Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë e sponsorëve të festivalit “Doku Fest” sepse e shikojmë si një produkt jo vetëm të Prizrenit, por të gjithë shqiptarisë, pasi ekonomia që na vjen prej aktiviteteve të tilla është e jashtëzakonshme. Ndaj, mezi pres që t’ju bashkohem edhe në gusht, kur të jemi përsëri bashkë për të promovuar kulturën, Doku Festin si “brand”-in më të njohur të qytetit të Prizrenit. E di që punët dhe veprat më të mira janë përpara, ama ajo që pashë sot më mbushi me shpresë të një qyteti që funksionon, të një qyteti ku po lëviz ekonomia, po lëviz biznesi, pashë turistë që po kënaqeshin. Ditët më të mira i kemi përpara dhe ju uroj shumë sukses”, u shpreh Veliaj.

 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh i lumtur për projektet në të dyja qytetet.

 

“Tani po diskutojmë për opsionet, alternativat, mënyrat se si t’i menaxhojmë më mirë qytetet tona në hapësirën mbarëshqiptare, në mënyrë që të sjellim një cilësi të re të jetës për banorët që jetojnë në qytetet tona. E natyrisht që, nga Tirana mund të mësojmë shumë. Jemi akoma në fillim të mandatit dhe shohim disa gjëra të mira, të bukura, të cilat, pse jo, t’i zbatojmë, por ndoshta mund të ofrojmë edhe ne ndonjë ide më të mirë për Tiranën. Jo vetëm kaq, por do të ecim më tutje me projekte, me punë për përbashkëta, me një vizion të përbashkët dhe me një rezultat, sepse tek e fundit performanca nuk matet me fjalë të mira, por me rezultate konkrete. Prandaj, ju falenderoj që keni ndarë kohë për të na vizituar, edhe ju, edhe stafin tuaj të mrekullueshëm, edhe sot të festojmë 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për të dhënë mesazhin se Kombi Shqiptar është faktor stabiliteti kudo që jeton, së bashku me gjithë të tjerët me të cilët jetojnë bashkë në këto treva,” u shpreh ai.

 

Në nder të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, shkollat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë ditën e sotme ia kushtuan orën e parë të mësimit Lidhjes së Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *