E mërkurë, 21 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

117 vite jetë, shtatë fëmijë dhe pesë breza, historia e jashtëzakonshme e Qamile Marrës jehonë në mediat botërore

Qamile Marra, 117-vjeçarja nga fshati Ferras, rreth 100 kilometra në jug të Tiranës, mund të jetë gruaja më e moshuar në botë, sipas dokumenteve zyrtare që tregojnë se ajo ka lindur më 19 gusht 1909.

Në një rrëfim për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve AFP, Marra tregon se, pavarësisht moshës së saj, vazhdon ta shijojë jetën, të kujdeset për lulet dhe kafshët dhe të shëtisë në kopshtin e saj.

Reklamë

“Jeta është e bukur, si mali i Tomorrit në lulëzim”, shprehet ajo me buzëqeshje, ndërsa qëndron ulur jashtë shtëpisë së saj.

Nëse mosha e saj konfirmohet nga institucionet përkatëse, Qamile Marra do të ishte dy ditë më e madhe se britanikja Ethel Caterham, e njohur nga Guinness World Records si gruaja më e moshuar në botë.

Reklamë

Sipas AFP-së, familjarët e Qamiles disponojnë disa dokumente që tregojnë të njëjtën datëlindje, përfshirë një certifikatë lindjeje të lëshuar në vitin 1945, një pasaportë të vitit 1978 dhe një kartë identiteti të kohëve të fundit.

Megjithatë, verifikimi i moshave kaq të mëdha mund të jetë i vështirë, ndaj pretendimi për rekordin botëror kërkon konfirmim zyrtar.

Madje, kur ajo mbushi 100 vjeçe, autoritetet lokale ndërprenë pensionin e saj, pasi nuk besonin se ajo ishte ende gjallë.

“Ata nuk besonin se nëna ime ishte ende gjallë”, tregon djali i saj 80-vjeçar, Hysen Marra, i cili kujton se iu desh të paraqiste dëshmi dhe deklarata dëshmitarësh për të rifilluar pagesat.

Në fillim të këtij muaji, qeveria shqiptare i akordoi asaj një pension të posaçëm shtetëror në shenjë vlerësimi për moshën e saj.

Cili është sekreti i jetëgjatësisë?

Qamile Marra zgjohet herët çdo mëngjes, pastron oborrin, ujit lulet dhe ushqen pulat. Më pas, shijon kafenë dhe shëtit në pemishten që ka mirëmbajtur gjatë gjithë jetës.

Gjatë shëtitjeve, ajo ndalet për të mbledhur shegë të pjekura, ndërsa mban gjethe borziloku në xhepa për të shijuar aromën e tyre.

Sipas djalit të saj, ajo gëzon shëndet të mirë dhe nuk ka marrë kurrë ilaçe, ndërsa thuhet se nuk ka vizituar asnjëherë mjekun.

Ka parë pesë breza të familjes

Qamile Marra ka sjellë në jetë shtatë fëmijë dhe ka jetuar për dekada me bashkëshortin e saj, i cili ndërroi jetë 36 vite më parë.

Edhe pse martesa e tyre ishte e organizuar nga familjet, ajo e kujton me dashuri jetën e përbashkët.

“Përndryshe, si mund të kisha pasur shtatë fëmijë me të?”, shprehet ajo me humor.

Sot, ajo ka parë pesë breza të familjes së saj të rriten. Kujtimet për njerëzit e afërt që ka humbur e emocionojnë, por vizitat e familjarëve dhe miqve i sjellin ende gëzim.

“Kam parë se si janë fejuar, martuar dhe kanë ndërtuar shtëpitë dhe jetët e tyre”, tregon ajo.

“Kur shoh njerëz që vijnë e ikin nga shtëpia, jam shumë e lumtur.”

Nga rinia, Qamile Marra ruan vetëm një fotografi, të realizuar pothuajse një shekull më parë, ku shfaqet e re, me një shami të bardhë të ngjashme me atë që mban edhe sot.

“Isha 18 vjeçe!”, thotë ajo.

Për Qamile Marrën, jetëgjatësia nuk duket të jetë një garë për të thyer rekorde, por një mundësi për të vazhduar të shijojë gjërat e vogla, familjen, natyrën dhe jetën në fshatin ku ka kaluar pothuajse gjithë jetën e saj.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.