Në përvjetorin e 112-të të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha vlerësoi strukturën e uniformave blu e ngjashme me atë perëndimore sa i takon luftës kundër krimit dhe sigurimit të rendit dhe sigurisë.
Në fjalën e tij, ministri Hoxha u shpreh për më shumë mbështetje të policisë, ndërkohë që duke folur për zgjedhjet e 11 majit tha se janë marrë masat për garantimin e procesit zgjedhor.
“Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë”, tha ministri Hoxha.
Në këtë përvjetor, kreu i policisë, Ilir Proda kujtoi 227 efektivët që humbën jetën në krye të detyrës, duke vlerësuar sakrificën e tyre për zbatimin e ligjit.
“Rrugëtimi në kohë përgjatë 112 viteve nuk ka qenë kurrsesi i lehtë. Gjaku dhe vepra e 227 Dëshmoreve të Policisë, si dhe sakrifica e dhjetëra brezave që shërbyen në radhët e saj, një pjesë e tyre veteranë të nderuar që sot ndodhen në këtë sallë, është dëshmia më e qartë se organizata jonë e ka krijuar me vetëmohim të ardhmen e saj”, tha Proda.
Gjithashtu kreu i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço kërkoi që politika të mbështesë policinë, por pa u përfshirë në këtë strukturë.
Aktivitet për 112 vjetorin e policisë u organizua edhe në Drejtorinë e Tiranës ku i pranishëm ishte kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
“Kur shikojmë statistikat e Eurostat-it dhe se mikro-kriminaliteti është nga më të ulëtit në Evropë; kur shikoj se si kolegë kryebashkiakë në qytete të tjera nuk e imagjinojnë dot jetën pas orës 2-3 të natës, ndërkohë që Tirana gëlon 24/7, ky është një kompliment i jashtëzakonshëm për Policinë e Shtetit. Sigurisht, ne kemi kaluar disa sfida të jashtëzakonshme, Tirana sot nuk ka vetëm 1 milion banorët e saj, por ka mesatarisht 1 milion turistë në muaj. Vjet kaluam shifrën e 12 milionë turistëve. Praktikisht, një polic i Tiranës i shërben dy herë popullsisë që mund të jetë në letra, ndërkohë që është dyfish në realitet, tha Veliaj.
Në fund të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës si dhe efektivëve të dalluar./vizionplus.tv





