Policia e Sarandës dhe ajo e Tiranës kanë shoqëruar të paktën 10 persona për ngjarjen e rëndë ndodhur mbrëmjen e të shtunës, ku 58-vjeçari Isuf Jaçaj humbi jetën pas shpërthimit me tritol në automjetin e tij.
Burimet bëjnë me dije se mes të shoqëruarve ka edhe persona që dyshohet se i përkasin grupeve të ndryshme kriminale. Tashmë 48 orë pas atentatit në Sarandë, policia vijon kërkimet, ndërsa pista kryesore në të cilën po hetohet mbetet ajo e hakmarrjes.
Për ekzekutimin e 58-vjeçarit mendohet se është përdorur një sasi e konsiderueshme lëndë eksplozive, me shumë se 600 gram e cila ishte vendosur poshtë automjetit me të cilin lëvizte viktima.
Tritoli ka shpërthyer menjëherë sapo Jaçaj ka hyrë në automjet, ndërsa për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë në vend. Shpërthimi ishte i fortë sa janë dëmtuar dhe bizneset afër, ndërkohë banorët janë terrorizuar.
Nga policia dhe specialistë te forcave antieksploziv, të cilët mbërritën në vendngjarje është kryer kqyrja e plotë e automjetit. Ndërkohë në zonë janë sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të ndihmojnë grupin hetimor për zbardhjen e identitetit të autorëve.





