Subscribe

Votimi i Diasporës nga aty ku jeton rrezikon të mos bëhet as për parlamentarët e 2025-ës. Paralajmërimi i Ilirjan Celibashit, Komisionerit të Zgjedhjeve vjen si përgjigje ndaj kuvendit, që po zvarrit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e detyron ta mundësojë atë.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Nëse kuvendi i Shqipërisë tej asaj sesi do ta bëjë plotësimin ligjor, në kuptim të përmbajtjes, nuk e përmbush këtë detyrim nuk do të ketë votim nga jashtë për zgjedhjet e 2025-ës.

 

Në vendimin e dhjetorit të një viti më parë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se për shkak të boshllëkut ligjor, e drejta kushtetuese e Diasporës për të shprehur vullnetin politik nga aty ku jeton është e pazbatueshme në praktikë dhe mbetet iluzive.

 

Ajo urdhëroi Kuvendin që brenda një viti, deri në janarin e 2024-ës të përgatisë gjithë bazën e nevojshme ligjore.

 

Tre muaj nga skadimi i këtij afati komisioni përgjegjës ai për reformën zgjedhore vazhdon të mos mblidhet dhe gjasa është që mos të ndodhë. Kuvendi  nuk i njeh të drejtën kushtetuese shumicës së deputetëve demokratë për tu përfaqësuar në “zgjedhore” me Oerd Bylykbashin. Partia Socialiste edhe pse njeh si bashkëkryetar Enkelejd Alibeaj përsëri “zgjedhoren” nuk e mbledh.

 

Përballë kësaj situate, Ilirjan Celibashi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë përgjegjësi nëse vota e Diasporës dështon për herë të dytë pas parlamentareve të 2021-it.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Si do t’i hartojmë aktet ligjore kur kemi vendim të një autoriteti, sikundër Gjykata Kushtetuese kur thotë ti nuk ke ligj. Atëherë mbi cilin ligj do t’i nxjerrësh aktet nënligjore. Kjo është një përgjegjësi tërësisht e partive politike dhe në mënyrë institucionale e kuvendit të Shqipërisë.

 

Vota e Diasporës nuk ishte kërkesa e vetme në adresë të politikës. Vendimi për herësin edhe ky i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimi nëse votimi elektronik do të shtrihet ose jo në të 12 qarqet janë dy nga çështjet për të cilat Ilirjan Celibashi kërkon që të ketë një vendimmarrje të shpejtë në kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *