Shefi ekzekutiv i facebook, Mark Zuckerberg ka përfunduar ditën e dytë dhe të fundit të dëshmisë përpara Kongresit Amerikan. Ai është përballur për rreth 10 orë me pyetjet e 42 senatorëve por nuk ka arritur të jetë i qartë se sa të dhëna grumbullohen nga Facebook tek përdoruesit dhe jo përdoruesit?
Në shumicën e rasteve Zuckerberg e shmangu pyetjen duke propozuar që ekipi i tij ta sqaronte këtë çështje në një moment tjetër. Megjithatë ai pranoi se Facebook mbledh të dhëna nga përdoruesit edhe kur ata nuk janë aktivë në platformë.
“Nëse jeni regjistruar në Facebook dhe vizitoni një faqe interneti me butonin Like, shfletuesi juaj na dërgon informacione për vizitën tuaj. Nëse jeni të loguar ose nuk keni një llogari në Facebook dhe vizitoni një faqe interneti që përmban opsionin Like ose një tjetër shtojcë sociale, shfletuesi juaj na dërgon një grup më të kufizuar informacioni”.
Shtrirja e grumbullimit të të dhënave nga Facebook, është shqetësimi kryesor i kompanisë, pasi siguron të paktën 40 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat çdo vit. Facebook deklaroi se i regjistron përdoruesit dhe jo përdoruesit në çdo faqe që përmban një buton “Like” ose “Share”.
Platforma gjithashtu u ofron reklamuesve një mjet të quajtur Facebook Pixel, një kod i padukshëm që lejon tregtarët dhe Facebook të gjurmojnë veprimet e përdoruesve.
Në muajin maj, vendet e Bashkimit Evropian do të vendosin Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave duke përfshirë një mundësi të qartë për të zgjedhur se kush mund të ketë qasje në të dhënat e tyre.
Kjo çështje pritet të vazhdojë të hetohet në kongresin amerikan sepse shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.