Kryeministri maqedonas Zoran Zaev po vijon të shtojë orët e ankthit teksa premton vazhdimisht se shumë shpejt do të telefonojë homologun grek Alexis Tsipras për ti komunikuar vendimin në lidhje me rezultatin e negociatave. Mediat greke nga ana tjetër raportojnë se negociatat për çështje teknike tashmë kanë përfunduar dhe se gjithçka varet nga Maqedonia.

 

Kjo fazë e bisedimeve teorikisht premton një zgjidhje shumë të afërt, por praktikisht nuk sinjalizon asnjë hap para. Një ditë më parë, zv/kryeministri maqedonas Bujar Osmani teksa takoi shefen e politikës së jashtme në BE,Federica Mogherini u shpreh se zgjidhja për emrin është më afër se kurrë dhe mbetet çështje orësh. Por nga ana tjetër Ministria e Jashtme në një deklaratë zyrtare thekson se afatet nuk janë të rëndësishme.

 

“Nuk ka nevojë të ngutemi, deri tani nuk ka marrëveshje me Greqinë. Cilësia e tekstit të marrëveshjes dhe nevoja për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme e të pranueshme nga të dyja palët janë shumë më të rëndësishme sesa nevoja për të finalizuar procesin në çdo kohë.”-thuhet më tej në komunikimin zyrtar.

 

Ndërsa kryeministri Zaev i konsideron të rëndësishme datat. Ai është shprehur se e dëshiron zgjidhjen përpara mbledhjes së Këshillit Evropian ne fund të këtij muaji. Duket se në Maqedoni nuk po gjendet një gjuhë e përbashkët.

 

Qeveria greke ka reaguar ndaj kësaj situate. “Ne kemi një marrëveshje të mirë në tavolinë, e cila, siç tha Kryeministri i Zaev, duhet të mbyllet shumë shpejt. Fatkeqësisht, disa të tjerë këmbëngulin në lojëra”, tha një zyrtar i qeverisë greke, duke komentuar deklaratën e ministrisë së jashtme.

 

Sipas zërave jozyrtarë, Uashingtoni i ka lënë afat deri të shtunën kryeministrit Zaev që të marrë një vendim sa i takon propozimeve për emrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *