Enklava siriane e kontrolluar nga rebelët e Idlibit në kufi me Turqinë është tronditur nga dy tërmetet vdekjeprurëse të së hënës. Rajoni tashmë është shkatërruar nga vitet e luftës civile dhe agjencitë e ndihmave tani thonë se nevoja për ndihmë ndërkombëtare është urgjente. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.

 

Dy tërmetet vdekjeprurëse të së hënës shkatërruan provincën e Idlibit të kontrolluar nga rebelët sirianë në kufirin me Turqinë.

 

Por nga shkatërrimi, vijnë historitë e mrekullueshme të mbijetesës.

 

“Dyshemeja u ça poshtë nesh dhe filluam të binim nëpër ndërtesë. Dukej sikur ishe në ashensor, dhe po zbrisje poshtë shumë shpejt. Dhe më pas tavani dhe muret ranë mbi kokat dhe trupat tanë”, thotë Abu Yazan Madaa, i mbijetuar i tërmetit.

 

Madaa dhe familja e tij u shpëtuan nga forcat e mbrojtjes civile, të njohura si Helmetat e Bardha.

 

Por djali i tij, vdiq. Madaa vetë, pësoi lëndime, ashtu si edhe vajza e tij.

 

Shkalla e madhe e shkatërrimit është e papërballueshme për Helmetat e Bardha, që po ndeshen edhe me kushtet e një dimri të ashpër.

 

“Ne kemi bërë një përpjekje shumë të madhe për të nxjerrë të plagosurit dhe të vdekurit nga rrënojat. Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe ajrit të pakët në ndërtesat e shkatërruara, ne ende po vazhdojmë. Për 36 orët e fundit, ne nuk kemi reshtur së nxjerri njerëz nga rrënojat”, thotë Obeida Othman me Qendrën për Mbrojtjen Civile.

 

Tërmetet vdekjeprurëse kanë shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së mbetur nga më shumë se një dekadë e luftës civile. Si rezultat, agjencitë e ndihmës thonë se ka një nevojë të dëshpëruar për mbështetje ndërkombëtare.

 

“Eshte çmenduri. Ndërtesat janë rrëzuar. Njerëzit janë pa ndihmë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Asnjë ndihmë nuk ka ardhur ende në Idlib dhe njerëzit nuk e dinë në se do të marrin ndihma apo jo. Jemi vërtet të shkatërruar. Kemi nevojë për gjithçka, por furnizimet mjekësore janë kaq të rëndësishme, batanijet, ushqimi. Këto janë ato që na nevojitet vërtet tani”, thotë Yakzan Shishkly me Fondacionin Maram.

 

Ndërkohë që pikat kufitare me Turqinë janë të hapura, shumë nga rrugët drejt kufirit janë dëmtuar rëndë nga tërmetet shkatërruese.

 

Është ende e paqartë se kur do të arrijë ndihma në Idlib. Megjithatë, Madaa thotë se është mirënjohës.

 

“Të gjithë fqinjët e mi humbën jetën dhe unë ende jetoj me familjen time edhe pse humba djalin. Është një gjë e madhe dhe falë Zotit, unë ende jetoj me familjen time”.

 

Por me rajonin e Idlibit që ende pret ndihmë ndërkombëtare, kërcënimi i sëmundjeve, të ftohtit dhe urisë vazhdon mbi zonën e goditur nga tërmeti, e cila tashmë ka kaluar më shumë se një dekadë luftime./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *