Zjarret shkrumbojnë pyje e ullinj

Disa vatra zjarri kanë shpërthyer në disa zona të vendit, si pasojë e temperaturave të larta. Emergjencat civile bëjnë me dije se vetëm në 24 orët e fundit janë shfaqur 11 zona ku zjarri ka shkrumbuar pyjet. Më problematike situata paraqitet në qarkun e Fierit, Beratit dhe Dibrës, ku si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh me shkurre, ferra si dhe 500 rrënjë ullinj. Për shkak të terrenit të thyer në disa zona ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ishte e pamundur. Për këtë arsye flakët janë fikur me mjete rrethanore. Në disa fshatra në Tiranë si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra, rreth 16 rrënjë ullinj dhe 12 pemë frutore. Shkaku i rënies së flakëve ishte këputja e telave elektrikë të tensionit të lartë. Ndërkohë prefektët e qarqeve kanë nisur punë për ngritjen e shtabeve te emergjencave.




