Zjarret masive të ditëve të fundit, kanë prekur edhe zonat e mbrojtura dhe pyjet e parqeve kombëtare.
Kjo situatë ka alarmuar monitoruesit e këtyre sipërfaqeve që mbrohen me ligj të veçantë, të cilët kanë shtuar kontrollet.
Nga zjarret janë prekur zonat e mbrojtura në Elbasan, Dibër, Korçë , Fier, madje nuk kanë munguar as në kryeqytet në malin e Dajtit.
“Situatë e pazakontë, kemi patur 10 vatra zjarri në zonat e mbrojtura me rreh 80 ha të djegur pjesërisht.”
Ata që ruajnë mjedisin kanë edhe një apel për turistët që frekuentojnë këto zona.
“Vizitorët apo turistët gjatë piknikëve tregohen të pakujdesshëm duke mos i fikur zjarret që ndezin sipas rregullave.”
Ndërkohë për zjarrfikësit e Korçës, ku gjatë ditëve të fundit janë regjistruar 14 vatra, zjarret janë të qëllimshme ndaj ata kërkojnë që policia të veprojë më shpejt për gjetjen e autorëve.
Edhe në Mat rreth 100 hektar pyje janë djegur nga, vatra zjarri të regjistruara ditët e fundit.
Në këtë zonë të vendit vështirësia është më e madhe për shkak se mjetet zjarrfikëse e kanë të pamundur të arrijnë vatrat për shuarjen e tyre për shkak të mungesës së rrugës.
Edhe në Fier gjatë muajit mars janë regjistruar 21 vatra zjarri. Sipas emergjencave civile në total në 3 jave në të gjithë vendin jane regjistruar 88 vatra zjarri, me 198 ha pyje e kullota të djegura. Megjithëse për këto raste policia ka arrestuar dhe proceduar disa persona përfshirë kryeplak fshatrash dhe inspektor pyjesh, lufta me “ piromanët ” mesa duket sapo ka nisur.





