Zjarr në vendgrumbullimin e mbetjeve në Fier, zona mbulohet nga tymi i zi

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë paraditen e sotme vendgrumbullimin e mbetjeve në fshatin Daullas, në bashkinë Fier. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të pranisë së një sasie të madhe gomash në vendin e ngjarjes, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Alarmi është shtuar edhe më tej nga fakti se shumë pranë zonës së përfshirë nga zjarri ndodhen varrezat e fshatit, çka ka ngritur shqetësimin e komunitetit.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar flakët dhe kanë arritur t’i shuajnë ato pas disa orësh përpjekjesh. Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe policia, e cila po heton mbi shkaqet e zjarrit.
Për shkak të djegies së gomave, një re e dendur tymi i zi ka mbuluar zonën përreth, duke e bërë ajrin të rëndë dhe potencialisht të rrezikshëm për shëndetin e banorëve.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve të shmangin qëndrimin afër zonës së djegur deri në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
/vizionplus.tv




