Zjarr në kodrën me pisha në Berat, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit

Një zjarr i madh ka përfshirë papritur kodrën me pisha mbi lagjen “MCR” në Berat. Zjarri që ka përparuar me shpejtësi, i favorizuar edhe nga era, ka marrë përmasa të mëdha duke djegur kodren me pisha.
Pas sinjalizimit të marë në zonë, kanë shkuar forca të Repartit të Zjarrfikësve të Beratit, të cilët po përpiqen për neutralizimim e flakëve. Terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës e kanë bërë të pamundur futjen e mjeteve zjarrëfikëse në zonë dhe kjo i ka detyruar punonjësit e këtij reparti të veprojnë me pompa uji krahu dhe me mjete rrethanore për të mundësuar fikjen e zjarrit që po përhapen me shpejtësi.
Edhe pse puna për fikjen e zjarrit po vijon ende, ai nuk po arrihet të neutralizohet dhe në të gjithë zonën ka ende shumë vatra zjarri aktive. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit që ka përfshirë disa hektarë me pisha, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia e një zjarrvënie të qëllimshme.




