Subscribe

Hakmarrja dhe prishja e pazareve të drogës janë dy pistat ku po heton policia për ekzekutimin e 42-vjeçarit, Shkëlzen Velaj në Vlorë.

Deri më tani janë zhvilluar vetëm kontrolle rutinë nga Forcat Renea, por nuk ka pasur asnjë person të shoqëruar apo të dyshuar për ngjarjen.

Kontrollet janë zhvilluar kryesisht në disa banesa në qytetin e Vlorës, por dhe në Selenicë. Zonë kjo ku mendohet se mund të jenë fshehur autorët pas braktisjes së makinës e cila u gjet e djegur në afërsi të fshatit Risili.

Burime pranë grupit hetimor thanë për Vizion Plus se u kontrolluan 20 banesa, por nuk u gjetën gjurmë të autorëve, ndërsa vazhdon krehja e të gjithë zonës.

Ndërkohë u është marrë dëshmia familjarëve të viktimës, si dhe disa personave me të cilët 42-vjeçari Shkëlzen Velaj ishte në konflikt. Por për shkak të alibive që ata dhanë para hetuesve u lanë të lirë sërish.

Të vetmet prova që hetuesit kanë në dorë deri më tani, janë dy armët automatik që u gjetën në makinë e djegur tip “BMW”, si dhe disa pamje të kamerave të sigurisë që 42-vjeçari kishte instaluar në shtëpinë e tij.

Shkëlzen Velaj u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar teksa po hynte në shtëpi. Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën pak para mesnate lagjen “24 Maji”, ndërsa 42-vjeçari humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

Shkëlzen Velaj është një emër i njohur për policinë. Në vitin 2019, ai u ndalua për kultivim të lëndëve narkotike. Ndërsa vëllai i tij, Ardi Velaj, mbeti i vrarë në “masakrën e Çoles” në vitin 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *