Shqetësimi i të gjithë qytetarëve, të cilët nuk përfitojnë pension apo marrin një shumë që nuk reflekton vitet e vërteta të punës deri në vitin 1994, për shkak se dokumentacioni i tyre ka humbur, merr zgjidhje. Qeveria me një vendim të posaçëm, bën të mundur njohjen e këtyre viteve pune.
“Vendimi ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish- ndërmarrjet apo ish-kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994, për të cilat sot e kësaj dite ka nëpër gjykata mijëra procese të regjistruara për të marrë të drejtën e përfitimit të pensioneve. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994, njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj, kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës”.
Në deklaratën për mediat, ministri Klosi bëri me dije se, sipas një vendimi të qeverisë, pensionistët në zonat rurale, përfitojnë masa lehtësuese për pagesën e energjisë, pasi u hiqet fasha prej 300 kilovatësh.
“Me Vendimin e Këshillit te Ministrave qe u miratua dje u shtuan përfituesit edhe per disa familje pensionistesh qe banojnë ne zonat rurale dhe ne përgjithësi te gjithë periferitë e qyteteve, si dhe disa qendra te banuara qe nuk merren me bujqësi etj. ”
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për personat me aftësi të kufizuar, që sipas Klosit synon integrimin e këtyre personave, shmangien e diskriminimit, dhe mundësim për më shumë trajtim e përkujdesje për ta.