Subscribe

Tryeza e Këshillit Politik zgjerohet edhe me një përfaqësues të opozitës parlamentare. Rimbledhjes së tij do ti bashkohet edhe Myslym Murrizi përveç Rudina Hajdarit.

Në mbledhjen e së Hënës do të diskutohet për ndryshimet kushtetuese që çojnë në hapjen e listave ç’ka diktojnë  ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, këtë herë në prani të më shumë përfaqësuesve.

Nga mazhoranca përveç Damian Gjiknurit, pritet të jetë edhe Edi Rama. Kryeministri ende nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do t’i bashkohet tryezës së Këshillit Politik pas vendimit të Opozitës së Bashkuar për t’u përfaqësuar edhe me Gazmend Bardhin, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, përveç dy negociatorëve Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Në njoftimin e 28 deputetëve firmëtarë për ndryshimet kushtetuese, përveç ndryshimit të sistemit, një pikë për të cilën këmbëngulin se do të diskutojnë është depolitizimi i administratës zgjedhore, për të cilën në marrëveshjen e 5 Qershorit për kodin e ri elektoral, mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar është dakordësuar që ajo të vazhdojë të jetë politike.

Nëse Edi Rama do të jetë në tryezën e Këshillit Politik, ai do të shkojë atje, siç është deklaruar për të bindur opozitën e bashkuar për të mirat që i sjellin listat e hapura vendit dhe se ai do t’i përmbahet marrëveshjes së 5 Qershorit deri në fund.

Arritja e një marrëveshje për ndryshimet kushtetuese duket e pamundur. Pas votës pro në Komisionin e Ligjeve, Partia Demokratike është deklaruar se nuk do të pranojë asnjë ndryshim që cënon dakordësinë mes palëve për kodin e ri elektoral ndërkohë që kryeministri Edi Rama është i vendosur të shkojë drejt hapjes së listave me votimin në parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *