Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale presin dritën jeshile të Parlamentit në mënyrë që të nisin punën.
Megjithatë, përbërja e këtyre komisioneve solli oponencën e opozitës që kërkoi barazi në Komisione.
Sqarimet u dhanë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili vuri theksin te gjithëpërfshirja.
“Kur PD këto partitë e vogla i duhen, madje u merr borxh dhe kandidatin për kryetar bashkie se vetë nuk kanë, pse duhet t’i përjashtojmë ne këto partitë e vogla nga Reforma zgjedhore. E kemi lënë këtë pikë për ta diskutuar”, tha Balla.
Balla theksoi se edhe në të kaluarën për të diskutuar reformat, mazhoranca ka marrë vendimmarrje që përfshin të gjitha palët politike.
“Pra, nëse do t’i referoheshim grupeve parlamentare në vitin 2020 për të bërë reformën zgjedhore, e kishim të pamundur se Partia Demokratike nuk ishte e përfaqësuar dhe bëmë një zgjidhje: ngritëm një Këshill Politik dhe në Këshillin Politik sollëm Partinë Demokratike, sepse s’kishte grup parlamentar se e kishte lënë rrugëve”, tha Balla.
Kërkoi dakordësi edhe në seancën e së enjtes.
“Nesër do të ngrihet reforma zgjedhore. Të shpresojmë që do të ngrihet me konsensus”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS.
Shefi i deputetëve të PS komentoi dhe pretendimet se Presidenti i Republikës është paguar nga një spital privat si i punësuar.
“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Madje, madje, kush je ti që e thua këtë gjë? Në vlerësimin tim, Presidenti i Republikës nuk ka kryer një shkelje”, tha Balla.
Në deklaratën për media, Taulant Balla ftoi gjithashtu qytetarët që të bashkohen në protestën e ditës së premte në manifestimin e UÇK-së./vizionplus.tv





