Subscribe

24 orë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë, se cilat nga dy Partitë Demokratike, ajo e Sali Berishës apo Lulzim Bashës, do të regjistrohet për zgjedhje, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, zhvilloi takime me drejtuesit e tre partive kryesore.

 

Të parit në zyrë, në selinë e socialistëve i shkoi Damian Gjiknurit, Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së. Për rreth 30 minuta, mes Kim dhe Gjiknurit u fol për ecurinë e procesit për vendoret e majit. Në Facebook, numri dy i PS-së shkruan se situata politike në vend, ishte një nga temat që u fol mes tyre.

 

DAMIAN GJIKNURI

SEKRETAR I PERGJITHSHEM, PS

 

Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Nga selia e PS-së, diplomaten amerikane e priste në kryesinë e kuvendit, Enkelejd Alibeaj. Me këtë takim, edhe një herë Yuri Kim dërgoi mesazhin se Shtetet e Bashkuara njohin për kryetar të Partisë Demokratike, të komanduarin e Lulzim Bashës.

 

Diplomates amerikane, kryetari i grupit parlamentar të demokratëve i garantoi përfaqësimin dinjitoz të kandidatëve të Partisë Demokratike, në vendoret e majit.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Në emër të PD-së garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetësime të ndryshme, përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.

 

Të fundit në agjendë për të vizituar pati Ilir Metën, kryetarin e Partisë së Lirisë.

Në mbyllje të tre takimeve, ambasadorja amerikane nuk dha asnjë deklaratë për mediat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *