Situata e krijuar brenda opozitës nuk ka kaluar pa u përmendur në seancën e parë plenare pas dështimit përballë Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale.

 

Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku thekson se shqiptarët po lënë vendin e tyre, ndërsa të rinjt e të rejat kanë mllef kundrejt sistemit. Por, sipas Tabakut kjo nuk mjaftoi për të pasur një hartë ndryshe nga ajo e zgjedhjeve paraardhëse të vitit 2021.

 

“Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën. Kur shihja fytyrat e lodhura në takimet elektorale që prisnin me valle për të dëgjuar se çdo ndodhë nesër, kur shihja moshën mesatare të rritur, kur pashë shifrat që nga mbi 122 000 votues për herë të parë, zgjodhën të shkojnë në votime as 17 mijë të tillë, pra 13.5%, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar”, tha ajo.

 

Sipas Tabakut, shkak kryesor ishte mosdalja në votime e një pjese të mirë të qytetarëve, të cilët refuzuan të shprehin vullnetin e tyre.

 

“Në humbje, pa nder”, e ka konsideruar Tabaku rezultatin zgjedhor, ndërsa nuk është kursyer as ndaj vetë opozitës në retorikën e përdorur nga foltorja e kuvendit.

 

“Më tej, kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të dielë, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder! Ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin. Janë disa barriera të ngritura apostafat, qëllimisht, për të ushqyer këtë ndjenjë apo të ngjashme si këto dhe që i shtyjnë shumë të largohen në vend që të kërkojnë ndryshimin”, theksoi ajo.

 

Nga ana tjetër, Tabaku foli dhe për rritjen e pagave, për të cilën tha se qytetarët e kanë merituar shumë më herët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *