Subscribe

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar se qëllimi i forcës së tij politike në zgjedhjet e ardhshme është fitorja e opozitës.

 

Edhe për këtë, Meta tha se PD dhe PL duhet të dalin me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme vendore.

 

Në një dalje për mediat, kreu i PL shtoi se forcat opozitare nuk mund të fitojnë nëse hyjnë të veçuara.

 

“Vendi ka nevojë ulëritëse për greva dhe protesta kudo ku ka shkelje të ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve tanë, kudo ku ka vjedhje. Ju e keni parë që edhe për meritë të vendimeve të papërgjegjshme të qeverisë përditë ka protesta dhe greva të fëmijëve, nxënësve, prindërve.

 

Jeni njohur me vendimet absurde që s’kanë asnjë lidhje me kujdesin ndaj nxënësve dhe prindërve, siç janë aktet e fundit arbitrare të satra-qeverisë ku pasi ka filluar shkolla, kopshti në mënyrë arbitrare gjenden sebepe që nuk kanë lidhje me ligjin dhe cilësinë e edukimit për të bërë akte të tilla të cilat tregojnë edhe njëherë sesa e rëndësishme është e gjithë shoqëria të reagojë fort ndaj kësaj qeverie që sillet si një bandë dhe që është e gatshme t’u shkaktojë trauma edhe fëmijëve. Edhe aktet e gjykatës dje janë tërësisht të paligjshme dhe tregojnë një kapje nga ana e Qeverisë. Këto veprime të papërgjegjshme do ti paguajnë shqiptarët, pasi janë procese që kushdo mund ti fitojë shumë thjeshtë.

 

Ne kemi nisur përgatitjet për këto zgjedhje dhe shumë shpejt do të mbledhim edhe komitetin organizator të Partisë së Lirisë. Kemi ambicie shumë të forta për zgjedhjet që po afrojnë. Këto zgjedhje do të rivendosin edhe demokracinë vendore dhe llogaridhënien. Këto katër vite të një keqqeverisje totale kanë qenë të mjaftueshme për ti dhënë asaj ndëshkimin e merituar. Objektivi ynë kryesor është fitorja e opozitës, pavarësisht se çdo forcë politike ka ambiciet e saj. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD dhe faktorët e tjerë opozitarë që të mbështeten kandidatët më të mirë. Opozita duhet të dalë në zgjedhje me kandidatë të përbashkët dhe të bashkuar”, tha Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *