Erion Veliaj ka bërë një tjetër hap duke goditur në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentit të Republikës që shpalli datën e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Veliaj tha se vendimi i qeverisë që e shkarkoi nga detyra është pezulluar që në momentin e dorëzimit të ankimimit prej tij.
Në ankimimin e dytë të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj parashikon edhe pasojat që, sipas tij, mund të vijnë nëse mbahen zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Juristi Kreshnik Myftari, i ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizon Plus, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po përdoret e drejta e ankimit, duke theksuar se në disa raste ajo është shndërruar në pengesë për proceset ligjore.
Sipas Myftarit, është e nevojshme që të tregohet kujdes dhe përgjegjësi në ushtrimin e të drejtës së ankimit, për të mos u kthyer në një bllokim të padrejtë të proceseve.
Myftari: Afatet e ankimeve janë taksative. Por, përtej të drejtës dhe garancive të ankimeve, kemi dhe një nocion tjetër, që është shpërdorimi i ankimit. Çfarë do të ndodhë në këto raste? Vërtetë ty ligji të ka dhënë një të drejtë për t’u ankuar, por nga ana tjetër të detyron që ti mos ta shpërdorosh këtë të drejtë për t’ju bërë pengesë qoftë organeve administrative ose organeve gjyqësore që të arrijnë në një vendimmarrje në kohën e duhur.
Tani, ligji nuk ka parashikuar, as Kushtetuta, afate se kur do të shqyrtohet kjo kërkesë. Në këndvështrimin tim, në interpretim të Nenit 62 të ligjit për qeverisjen vendore dhe 115, Erion Veliaj është i shkarkuar në kuptimin juridik taksativisht, sepse ligji e parashikon ashtu. A e parashikon të drejtë apo jo është një diskutim tjetër pastaj. Por nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh, për aq kohë sa ligji nuk ka parashikuar afate të shqyrtimit të këtyre kërkesave, ose më saktë të këtyre ankesave, sepse bëhet fjalë për një ankim në Gjykatën Kushtetuese, sa pengesë mund të bëhet, sa mund të zgjasë kjo procedurë?.
Tirana është një bashki që ka pa kryetar më shumë se tre muaj, që nga 11 shkurti. Pra, çfarë do të ndodhi sikur çdo person, për shkak se ligji ia ka garantuar të drejtën e ankimit, të abuzojë me të drejtën e ankimit, për t’ju bërë pengesë pastaj dhe për të arritur synimet e veta ose strategjitë e veta? Kështu që, në këtë aspekt, duhet të jemi pak të kujdesshëm për sa i përket kësaj pjesës së garancisë dhe të drejtës që i ka dhënë ligji për ta ankuar. Në kuptim të shkeljes, ajo është një shkelje taksative. Dispozita është taksative. Nuk parashikon mënyrën e fajit, pra për faj ose pa faj të mosparaqitjes në detyrë. Mjafton që ti mos jesh tre muaj, pastaj shkaqet nuk kanë më rëndësi, sepse ka prioritet interesi i qytetarëve, ka prioritet detyra, ka prioritet rregullimi, e të gjitha me radhë.
/vizionplus.tv





