Nuk mbarojnë telashet për Donald Trump. Ai është paditur për herë të katërt këtë vit. Ish-kreu i shtëpisë së Bardhë akuzohet për përpjekje   për të përmbysur rezultatin në zgjedhjet e vitit 2020 në Georgia.

 

Janë 19 të akuzuar të përmendur në aktakuzën me 41 pika. Përveç ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë  në të përfshihen avokatët e tij, John Eastman dhe Rudy Giuliani, si dhe ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadoës. Prokurorja e çështjes tha se 19 të akuzuarit kanë kohë deri në mesditën e 25 gushtit, për t’u “paraqitur vullnetarisht”.

 

Vendimi erdhi pasi u dëgjuan dëshmitarë të ndryshëm, duke përfshirë republikanin Geoff Duncan, ish-zëvendës guvernator i Georgia-s.

 

Në rrjetin e tij social “Truth” Trump reagoi ashpër duke hedhur akuza edhe ndaj prokurores së çështjes.

 

 “A do t’i tregojë dikush jurisë së madhe të qarkut Fulton se unë nuk i manipulova zgjedhjet. Në mesin e njerëzve që i manipuluan ato është mjerisht edhe Fani Willis, e cila në mënyrë tronditëse ka lejuar Atlantën të bëhet një nga qytetet më të rrezikshme në botë, nuk ka asnjë interes të shohë sasinë masive të provave në dispozicion, ose të zbulojë se cilët janë këta njerëz që kanë kryer këtë krim. Ajo dëshiron të kapë ‘vetëm zotin Trump”, u shpreh ish- kreu i Shtëpisë së Bardhë.

 

Pavarësisht se paditë ndaj tij shtohen Donald Trump vazhdon të udhëheqë bindshëm garën si kandidat  për president nga radhët e republikanëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *