Nesër në mesditë përfundon afati për të gjithë ata që duan të garojnë për postin e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike.
I vetmi kandidat në garë deri tani, është lideri historik i PD, Sali Berisha, i cili duket se do të jetë dhe kandidati i vetëm për drejtimin e Partisë Demokratike në 4 vitet e ardhshme.
Sipas udhëzimit të PD që mban datën 18 mars, ata që duan të kandidojnë për të qenë kryetar i PD duhet të dorëzojnë dokumentacionin deri në orën 12.00 të datës 30 prill.


Ky udhëzim saktëson se kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere; të jenë anëtarë të Partisë Demokratike prej të paktën 10 vitesh, të kenë profil shumë të lartë publik e politik, të kenë eksperincë drejtuese në betejat politike të Partisë Demokratike, e të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.
Në datën 17 mars kryesia e Partisë Demokratike vendosi që zgjedhjet për kryetarin e PD të zhvillohen në datë 23 maj. Publikisht ambicien për të kandiduar për kryetarin e PD e ka shprehur edhe ish-deputeti Ervin Salianji, por PD ka deklaruar se ai është përjashtuar nga partia duke bërë të qartë se nuk ka të drejtë të kandidojë.
Në këtë situatë duket se në 23 maj i vetmi kandidat do te jetë Sali Berisha, i cili do të kërkojë besimin e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.
Sali Berisha ka dominuar Partinë Demokratike prej krijimit të saj, në dhjetorin e vitit 1990. Ai u zgjodh kryetari i PD në vitin 1991 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1992 kur u bë Presidenti i Shqipërisë.
Berisha u rikthye në krye të PD në vitin 1997 dhe e drejtoi këtë parti deri në vitin 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në shtatorin e vitit 2021 Berisha nisi lëvizjen “Foltorja” pasi Lulzim Basha asokohe kryetar i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar. Në dhjetorin e vitit 2021 demokratët shkarkuan Lulzim Bashën dhe në 22 majin e vitit 2022 Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD.





