“Zgjedhjet parlamentare, konkurruese”, ODIHR publikon raportin përfundimtar për 11 majin
Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ODIHR publikoi raportin përfundimtar për procesin e 11 majit. Dokumenti prej 46 faqesh ruan konstatimet që vëzhguesit bënë publike edhe më 12 maj, një ditë pasi përfundoi procesi i votimit, duke theksuar se zgjedhjet parlamentare ishin konkurruese, administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, votimi jashtë vendit u menaxhua mirë.
ODIHR: Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta.
Mungesa e mundësive të barabarta në zgjedhje është kritika më e fortë e vëzhguesve të ODIHR. Ata përmendin se një sërë vendimesh të qeverisë Rama, edhe pse formalisht ishin në përputhje me ligjin, patën efekt tek një grup i caktuar votuesish gjatë fushatës zgjedhore, duke përmendur nga bonusi i pensionistëve te falja e gjobave. ODIHR gjithashtu përmend aktivitete si “Giro d’Italia” apo përurimi i aeroportit të Vlorës, të cilat, sipas vëzhguesve, u shfrytëzuan në favor të imazhit të partisë në pushtet.
ODIHR: Fusha e garës ishte e pabarabartë, me partinë në pushtet që përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shteterore dhe ndikimit institucional, duke zbehur kufirin ndërmjet shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, për raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe keqpërdorim të rrjeteve të patronazhistëve, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona të vendit.
Në fund të raportit, ODIHR ka vendosur 25 rekomandime për Parlamentin e Shqipërisë, në mënyrë që zgjedhjet të arrijnë standarde më të larta. Ajo që bie në sy është se rekomandimet prioritare lidhen me depolitizimin e administratës zgjedhore, trajnimin e numëruesve dhe edukimin e zgjedhësve për votimin elektronik.
ODIHR: Për të garantuar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet të shqyrtohet depolitizimi i procedurës së emërimit të administratës zgjedhore në nivelet më të ulëta, si dhe kufizimi i zëvendësimeve arbitrare apo në momentet e fundit të anëtarëve të komisioneve, me qëllim sigurimin e trajnimit të duhur dhe në kohë për të gjithë anëtarët.
Rekomandimet 5, 6 dhe 7 kërkojnë marrjen e masave kundër përdorimit të burimeve shtetërore nga partia në pushtet në funksion të zgjedhjeve. Por ajo që bie në sy te rekomandimet është se nuk ka më rekomandim për të luftuar shitblerjen e votës, i cili ka qenë ndër 3 rekomandimet e para në zgjedhjet e viteve 2017, 2021 dhe në zgjedhjet e vitit 2023.




