Grekët iu rikthyen sot qendrave të votimit, në një proces të dytë zgjedhor brenda pesë javësh. Pas një fitoreje bindëse më 21 maj, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetëm, Kyriakos Mitsotakis e çoi vendin sërish në zgjedhje. Shanset e tij për të fituar një mandat të dytë­ si kryeministër këtë radhë janë të mëdha. Ndryshimet, që iu bënë ligjit zgjedhor, favorizojnë partinë fituese me vende bonus dhe kryeministri në detyrë shpreson të fitojë vendet e mjaftueshme për të formuar një shumicë të fortë në parlamentin me 300 deputete.

 

Sipas sondazheve Kyriakos Mitsotakis vazhdon të ketë një avantazh me 20 përqind më shumë mbështetje krahasuar me “Sirizan”, që renditet në vendin e dytë.

 

Kreu i saj dhe rivali i Mitsotakis 48-vjeçari Alexis Tsipras,  shërbeu si kryeministër nga 2015-2019, gjatë disa prej viteve më të trazuara të krizës financiare gati dhjetëvjeçare të Greqisë.

 

Në 21 maj “Demokracia e Re” mundi kundërshtarët e saj të majtë, duke fituar bindshëm në bastionet socialiste në ishullin e Kretës dhe zonat me të ardhura më të ulëta përreth Athinës, disa prej tyre për herë të parë.

 

9 parti kanë shanse reale për të fituar përfaqësim në rang kombëtar, duke filluar nga një grup ekstrem i djathtë deri tek dy parti të ndara të krahut të majtë, të themeluara nga ish-anëtarë të lartë të qeverisë së dikurshme të “Syriza”.

 

Ndërkohë 7 kandidatë shqiptar garojnë në këto zgjedhje dhe 200 mijë emigrantë mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

 

Qendrat e votimit në të gjithë Greqinë janë hapur në orën 7.00 dhe do të mbyllen në 19.00. Në orët e para votimi raportohet të ketë ecur pa probleme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *