Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut/ Të pavlefshme 31.107 fletëvotime

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve regjistroi 31.107 fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e djeshme parlamentare, sipas 3.421 nga 3.480 vendvotime.
Sipas mediave vendase, numri i fletëve të vlefshme është 869.533.
Në Maqedoninë e Veriut, kanë votuar 927.640 qytetarë ose 51 për qind nga gjithsej 1.814.263 të regjistruarit në Listën Zgjedhore.
“Dita e zgjedhjeve kaloi në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, pa parregullsi të mëdha”, vlerësuan mbrëmë zyrtarët pas mbylljes së vendvotimeve.
Zgjedhjet e dhjeta parlamentare për shkak të kushteve aktuale të pandemisë së Covid-19 zgjatën tri ditë, ndërsa votohej me maska dhe masa të tjera parandaluese sipas protokollit të cilin e përcaktuan institucionet shëndetësore.
Lidhja Social Demokrate shpalli fitoren në zgjedhjet e së mërkurës.
Ndonëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar me përpunimin e rezultateve nga të gjitha qendrat e votimit, LSDM-ja bëri të ditur pak para orës 2 të mëngjesit (me orën lokale) rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i njoftojë të dhënat e para jozyrtare gjatë ditës së sotme.




