Kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, pasi ka vizituar disa qendra të votimit në Prishtinë në orët e hershme, ka bërë të ditur se procesi i votimit po shkon me rregull.

“Procedura e hapjes së (vendvotimeve) ka shkuar shumë qetë. Kemi pasur disa incidente të vogla, por procedura për aq sa kemi mundur ta monitorojmë ka nisur pa asnjë problem”, ka thënë Cramon Taubadel.

Cramon-Taubadel ka bërë të ditur se 58 ekipe monitoruese të BE-së në teren janë prezente për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Duket qetë, por ende është herët të thuhet për shkak se kanë kaluar pak orë nga hapja e vendvotimeve. Është tejet herët të supozoj, por në fund të fundit nuk ka asnjë indikacion të madh për t’u shqetësuar,” është shprehur Viola von Cramon-Taubadel.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve.

Me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për vëzhgim të zgjedhjeve (EOM) në Kosovë.

Shefja e këtij misioni, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë nga viti 2013./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *