Ndërkohë që interesi i qytetarëve të Kosovës por edhe të Shqipërisë rritet për të mësuar sa më shpejt rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, faqja zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shfaqur probleme.
Siaps zëdhënësit të KQZ, Vamir Elezi, për shkak të interesimit të lartë të qytetarëve ka rënë faqja. Ai ka theksuar se tashmë pritet që të mblidhen të dhënat nga terreni për tu bërë përditësimi.
“Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probleme teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi.