Zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor të këtij viti nuk do të ndikojnë në zgjerimin dhe proceset integruese të secilit vend, që aspiron për tu bërë pjesë e bllokut.

Kështu ka deklaruar Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri Oktavian Sherban pas një takimi që ka pasur në rektoratin e universitetit të Korçës.

“Zgjedhjet Europarlamentare janë një proces natyral dhe kjo nuk duhet ngatërruar me ecurinë e vendeve kandidate, këto janë mekanizma që funksionojnë në mënyrë paralele. Kjo varet shumë nga përgatitja e vendit kandidat, sa shpejt do i kalojë këto etapa që i paraprijnë në procesin e integrimit. Këtu po e sjell edhe njëherë tjetër në vëmendjen tuaj qe procesi i integrimit Europian bazohet në meritat personale të secilit vend kandidat”,  tha Sherban.

Vendi ynë është në pritje të çeljes zyrtare të negociatave anëtarësuese me BE. Gjithashtu ambasadori rumun ka komentuar edhe reformën në drejtësi, duke theksuar rëndësinë që ajo ka për integrimin e vendit në BE.

“Ashtu siç vet e dini një drejtësi funksionale është element thelbësor për procesin e integrimit, kjo ecën paralelisht me respektim e të drejtave parlamentare e shoqërore. Reforma në drejtësi duhet të kuptohet nga unë, që vij nga një shtet që ka prodhuar një reformë të thellë në drejtësi. Ajo që mund të them është se reforma në drejtësi duhet ti drejtohet qytetarit dhe në të njëjtën kohë qytetari me shume besim ti drejtohet sistemit të drejtësisë”,  u shpreh ambasadori.

Një sërë deputetësh të PE dhe ministrash të jashtëm të vendeve anëtarë kanë kritikuar si shumë të ngadalshëm procesin e zgjerimit dhe kanë kërkuar përshpejtimin e tij. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *