Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka zgjatur edhe me 3 muaj afatet hetimore për dosjen Bankers.
Sipas organit të akuzës kërkesa bazohet në kryerjen e veprimeve të tjera shtesë për shkak të provave dhe rëndësisë që ka dosja.
I vetmi që ndodhet në masën arrest në burg për këtë çështje është ceo kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë, janë në masa më të buta.
Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për 20 vite, konkretisht nga 2004 deri në 2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh.
Kompania ka shmangur kështu tatimin mbi fitimin dhe ka përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.





