Vetëm pak ditë përpara se Donald Trump dhe Joe Biden të nisin debatet publike në garën për të kryesuar shtëpinë e bardhë, presidenti është vendosur sërish në qendër të kritikave mbi menaxhimin e pandemisë. Gazetari i Uashington Post, Bob Woodward në librin e tij më të ri ”Zemërimi” shprehet se Trump e dinte që në fillim se çfarë kërcënimi vdekjeprurës përbënte koronavirusi, por me qëllim dha informacion jo të saktë për publikun amerikan dhe seriozitetin e kësaj sëmundjeje.

Në daljet e tij publike, presidenti deklaronte se virusi do të zhdukej së shpejti dhe nuk ishte më i rrezikshëm se gripi sezonal. Ai këmbëngulte se qeveria e kishte situatën nën kontroll. Por në njërën nga 18 telefonatat e regjistruara nga autori i librit, Bob Woodward, presidenti Trump pohonte më 18 mars se e kishte minimizuar qëllimisht rrezikun. Ndërkohë, Joe Biden duke komentuar librin sulmoi sërish kreun e Shtëpisë së Bardhë duke thënë se ka dështuar në punën e tij.

 

JOE BIDEN KANDIDAT NE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE, SHBA

“Presidenti me vetëdije e me dashje gënjeu popullin amerikan për kërcënimin që i kanosej vendit për muaj të tërë. Ai me qëllim nuk përmbushi detyrën e tij. Kjo është më shumë se e neveritshme”.

 

 

Ndërsa presidenti Trump në kundërpërgjigje tha se nuk donte të krijonte panik.

 

“Ne menjëherë morëm masa duke blerë maska dhe mjetet e tjera të nevojshme. Por ne duhej të tregonim lidership dhe jo të krijojmë panik, pasi do të kishim probleme edhe më të mëdha.”

 

Libri del në treg më pak se tetë javë përpara se të mbahen zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *