Presidenti amerikan Donald Trump doli kundër të gjithëve, kur njoftoi tërheqjen nga marrëveshja e Parisit për Klimën dhe reagimi ndërkombëtar ishte i menjëhershëm. Liderë europianë, OKB dhe biznesmenë dënuan këtë veprim të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Të vetmit që e mbështetën ishin disa republikanë dhe industria amerikane e qymyrgurit.

 

Trump e argumentoi vendimin duke thënë se pakti i vitit 2015, ndëshkon Amerikën dhe do t’i kushtonte asaj miliona vende pune. Ai the se dëshiron të negociojë një marrëveshje të re, ose që ekzistuesja të ketë përmirësime. Por presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker u përgjigj nga Brukseli se nuk do të ketë tërheqje nga marrëveshja.

 

Po kështu, liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në një deklaratë të përbashkët, theksuan se marrëveshja është e panegociueshme, pasi është e rëndësishme për planetin, ekonominë dhe shoqërinë. Zhgënjim shprehu edhe kryeministrja britanike May, që në një bisedë telefonike me Trump theksoi se pakti mbron prosperitetin dhe sigurinë e brezave të ardhshëm. Ndërsa presidenti francez Macron, përdori një frazë të Trump për të shprehur kundërshtimin.

 

“Kudo ku jetojmë, kudo ku jemi, ne ndajmë të njëjtën përgjegjësi, ta bëjmë planetin tonë të madh sërish.”

 

Në New York njerëzit dolën në protestë kundër vendimit. Edhe vende të vogla ishullore ekzistenca e të cilave kërcënohet nga rritja e nivelit të detit kritikuan këtë qëndrim. Nënshkruesit e paktit kane premtuar të reduktojë emetimet e gazrave sere, që sipas shkencëtarëve rritin temperaturën e planetit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *