Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi.
Në Beograd, Zelensky u prit nga presidenti Aleksandar Vuçiç, me të cilin zhvilloi bisedime për marrëdhëniet mes dy vendeve, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Por në qendër të diskutimeve ishte edhe e ardhmja europiane e të dyja vendeve. Si Ukraina, ashtu edhe Serbia synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, megjithëse proceset e tyre të integrimit ndodhen në faza të ndryshme.
“Diskutuam marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Dhe do të ishim të kënaqur nëse rruga e Serbisë drejt BE-së do të përshpejtohej. Të gjithë ne në Evropë duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin sa më efektivisht të jetë e mundur, në bazë të respektit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të dobishme reciproke. Është e rëndësishme që çdo komb në Evropë të marrë sinjale të qarta dhe një ndjenjë të qartë nga Bashkimi Evropian se ky komb është i nevojshëm në Evropë. Dhe se Evropa nuk mund të përballojë humbjen e askujt”, tha Zelensky.
“Diskutuam rrugën evropiane të Serbisë dhe Ukrainës, dhe për sa i përket Serbisë, Ukraina do të ketë gjithmonë mbështetjen e plotë të vendit tonë në udhëtimin e saj evropian. Ne nuk bëjmë komente që do të sugjeronin se duam të pengojmë dikë tjetër vetëm sepse nuk mund të hapim një grup të caktuar. Ne dëshirojmë që Ukraina t’i hapë të gjitha grupet sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i mbyllë ato sa më shpejt të jetë e mundur; kjo është dëshira e popullit ukrainas dhe e udhëheqjes ukrainase. Sa për ne, ne kurrë nuk kemi pasur dhe as nuk do të kemi ndonjëherë ndonjë problem me këtë në të ardhmen, përkundrazi”, u shpreh Vuçiç.
Sakaq Zelensky kërkoi sërish më shumë armatime në luftën kundër agresionit rus.Vizita vjen në një moment delikat për Beogradin.
Serbia ruan lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Moskën dhe nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. Vuçiç ka mbajtur një politikë balancuese mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa njëkohësisht deklaron se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektiv strategjik i Serbisë.
Pikërisht kjo e bën takimin me Zelenskyn të rëndësishëm. Presidenti ukrainas kërkon të forcojë marrëdhëniet me vendet europiane dhe të sigurojë mbështetje për rrugën e Kievit drejt BE-së, ndërsa Beogradi synon të avancojë në procesin e integrimit europian.
Vizita e Zelenskyt shihet si një sinjal i ri në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Serbisë, por edhe si një test për politikën e balancimit të Beogradit mes aleatit tradicional, Moskës, dhe aspiratës për t’u afruar me Bashkimin Europian.




