Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse me raketa, që goditën të martën disa qytete të Ukrainës, tregojnë se Moska “nuk ka interesim për të përfunduar luftën”.

 

 

Zelensky tha se ushtria ruse lëshoi 90 raketa, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë, si dhe bizneset dhe ndërtesat e banimit.

 

 

“Kjo është përgjigjja e Rusisë ndaj Indonezisë, Indisë, Kinës dhe të gjitha vendeve të tjera, që kanë folur për nevojën për t’i dhënë fund luftës. Rusia po i thotë botës se dëshiron të vazhdojë. Tani është koha që bota të përgjigjet”, tha Zelensky përmes një video-adresimi.

 

 

Zelensky tha se sulmet kanë çuar në ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën, përfshirë rajonet e Kievit, Lvivit, Harkivit dhe Zhitomirit.

 

 

Ai, po ashtu, tha se më shumë se 70 raketa dhe 10 dronë luftarakë janë rrëzuar nga forcat ukrainase dhe falënderoi të gjithë partnerët, që, siç tha, “ndihmojnë në mbrojtjen e qiellit”.

 

 

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në fund të shkurtit.

 

 

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin dhe ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër Rusisë.

 

 

Ukrainën, në anën tjetër, është duke e ndihmuar me armatim.

 

 

Të martën ka pasur raporte se dy raketa të prodhimit rus kanë rënë në Poloni – vend anëtar i NATO-s – duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

 

 

Këto raporte janë duke u hetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *