Subscribe

E paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama, presidenti Volodymyr Zelensky do të jetë fizikisht në Tiranë për të marrë pjesë në një samit me kryetemë Ukrainën.

Në 28 shkurt, presidenti i Ukrainës do të pritet nga kryeministri Edi Rama. Në të njëjtën ditë, në agjendën paraprake është parashikuar një forum ku do të flitet për Ukrainën që prej dy vitesh është në luftë pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia.

Lexo edhe :

Related Posts

Ai do të pritet në Kryeministri, ku në hyrje pritet të ketë edhe një deklaratë të shkurtër. Më pas Shqipëria dhe Ukraina do të ulen në një tryezë të përbashkët diskutimesh.

Një ditë më pas, në 29 shkurt tryezës së samitit të Ukrainës me prani të presidentit Volodymyr Zelenski do t’i bashkohen liderë të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në samit do të flitet jo vetëm për mbështetjen që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE kanë treguar ndaj Ukrainës, duke dënuar Rusinë, por edhe për paketën financiare që Brukseli i ka vënë në dispozicion gjashtëses ballkanike në rrugën e tyre anëtarësuese.

Agresioni Rus në Ukrainë ishte edhe një nga çështjet për të cilat Shqipëria si mbajtëse e presidencës së Këshillit të Sigurimit drejtoi një debat të nivelit të lartë në shtatorin e vitit që lamë pas. Për këtë çështje dhe për rolin e vendit tonë edhe pse i vogël në zhvillimet gjeopolitike, Ministri i Jashtëm Igli Hasani e vlerësoi një histori suksesi.

“Vende të vogla si ne, nuk mund të konkurrojnë në procese ecuria e të cilave varet nga burimet, mjetet, përmasat,  popullsia, apo nganjëherë dhe  forcat ushtarake. Ama, ka një fushë ku vendet e vogla mund të konkurrojnë edhe me fuqitë më të mëdha të botës si të barabarta nëse u jepet mundësia. Kjo është fusha e ideve dhe parimeve. Aty jemi të gjithë të barabartë të konkurrojmë e të dëgjohemi. Besoj pikërisht kjo zgjedhje strategjike për të kontribuar në Këshillin e Sigurimit me ide e duke mbrojtur fort parimet e së drejtës ndërkombëtare e multilateralizmit, ka qenë çelësi i suksesit të mandatit tonë. Shqipëria diti të tregojë,që edhe vende të vogla, kanë se çfarë të kontribuojnë në debatet mbi çështjet e mprehta që shqetësojnë sot botën, kur u jepet mundësia ta bëjnë këtë në forume si Këshilli i Sigurimit”, tha ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Në takimin përmbyllës të “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit” Igli Hasani veçoi rëndësinë e respektimit të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut, qasje që pritet të udhëheqë edhe diskutimet në samitin e Ukrainës, në fund të shkurtit në Tiranë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *