Gëzim Balla është shpallur në kërkim nga policia, i dyshuar si autori i 5-të i përfshirë në vrasjen mafioze të ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi, ngjarje e ndodhur në vitin 2009 në Elbasan.
50-vjeçari është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar arrest në burg për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Sipas sistemit TIMS, Gëzim Balla ndodhet jashtë vendit, ndaj Interpol Tirana ka kërkuar ndihmën e partnerëve për arrestimin e tij.
Sipas hetimeve, 50-vjeçari akuzohet se ka bashkëpunuar me Armando Llakaj, Marjus Tafa, Florind Shabani dhe Donald Hoxha. Disa prej tyre tashmë janë pas hekurave në lidhje me krimin e rëndë. Konkretisht Doland Hoxha u ekstradua nga Anglia 2 muaj më parë, ndërsa i arrestuari tjetër Florind Shabani, prej vitesh fshihej në Gjermani, por që autoritet e arrestuan dhe më pas e ekstraduan në Shqipëri 2 vite më parë. Gjithashtu për këtë vrasje dy autorët e tjerë Marjus Tafa dhe Armando Llakaj janë dënuar me nga 24 dhe 23 vite heqje lirie.
Roland Rexhepi u ekzekutua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009 në afërsi të banesës së tij. Ndaj ish-punonjësit të policisë grupet kriminale kishin dyshime se kishte tentuar të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjas duke ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani.
Po ashtu, Rexhepi i njohur edhe si “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në gusht të vitit 2006. Dy vite pas vrasjes së ish-agjentit të policisë, grupet kriminale i ekzekutuan edhe vëllain e tij, Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit./vizionplus.tv