Policia e Fierit ka zbuluar një serë të kultivimit të lëndëve narkotike në fshatin Kreshpan. Policia njofton se ka asgjësuar 182 fidanë narkotikë, të cilat ishin mbjellë në kubikë. Si pasojë është vënë në pranga pronarja e banesës dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj.

 

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë është gjetur dhe një armë gjahu që mbahej pa leje.

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, që në fazë fillestare, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P. Y., 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D. Y., 51 vjeç (alias S. Y., alias K. Y.).

 

Si rezultat i kontrolleve, në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë gjetën dhe asgjësuan 182 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të mbjellë në kubikë”, thuhet në njoftim.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *