Subscribe

Një ditë para se kryeministri Edi Rama t’i prezantojë parlamentit programimin qeverisës për katër vitet e ardhshme, zbardhen reformat kryesore që do të ndërmerren me objektivin për ndërtimin e “Shqipërisë 2030”.

 

Në krye të prioriteteve qëndron rimëkëmbja e vendit pas pasojave nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe dobësimi i ekonomisë nga pandemia e Covid 19.

 

Në fund të pranverës së vitit të ardhshëm premtohet se të gjitha familjet e prekura nga lëkundja sizmike do të kenë hyrë në shtëpitë e reja dhe se bonusi i qirasë nuk do të ndërpritet deri në ditën e dorëzimit të çelësave të shtëpive të reja.

 

Angazhimi në përballjen me koronavirusin është që deri në shkurtin e 2022, do të mundësohet vaksinimi i gjithë popullsisë mbi moshën 16-vjeçare.

 

Shtylla e dytë është mirëqenie për të gjithë, ku synohet që rritja ekonomike në vit të jetë mesatarisht 4.5 për qind, ulja e borxhit publik në masën 60 për qind në fund të mandatit të tretë qeverisës, rritje të pagës mesatare mujore vit pas viti deri në 25 për qind, veçmas pagat e mjekëve dhe mësuesve.

 

Zhvillimi i sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë. Në transportin ajror, në 2024 do të jetë funksional aeroporti i Vlorës ndërsa deri në fund të këtij viti, do të përfundojë rruga e Arbërit, do të nënshkruhet kontrata për aeroportin e Sarandës apo do të nis ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës.

 

Përgjatë vitit të ardhshëm nis projektimi i hidrocentralit të Skavicës apo ndërtimi i parkut fotovoltaike i Karavastasë.

 

Si edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës, turizmi, bujqësia do të vazhdojnë të përfitojnë investime po aq digjitalizimi i shërbimeve, si një mënyrë për reduktuar sa më shumë fenomenin e mitmarrjes.

 

Familja si një nga pesë shtyllat e programit qeverisës do të ketë në vëmendje mbështetjen financiare për familjet e reja që duan të blejnë një shtëpi, ndihmë mjekësore pa-pagesë për kategori të caktuara, ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, futja e gjuhës angleze që në klasën e   parë apo klasat e profilizuara sportive.

 

Prioriteti i pestë është zbatimi i reformës në drejtësi, duke hartuar kodin e ri penal që ashpërson goditjen ndaj krimit, veçmas atij të organizuar. Përmirësimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë, faktorizimi i Kosovës në arën ndërkombëtare, mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend të sigurtë, me më pak aksidente fatale, vrasje dhe shkatërrim të grupeve kriminale janë disa nga premtimet për katër vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *