Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nënshkroi një kontratë me vlerë 150 mijë dollarë për të informuar qeverinë amerikane për pretendimin se akuzat e shumëfishta për korrupsion kundër tij në Shqipëri janë “të pavërteta”.

Por, dokumentete e lobimit kanë zbuluar gjithashtu se ish-zëvendëskryeministri banon aktualisht në Lugano të Zvicrës, qyteza piktoreske e njohur si rezidencë për banka dhe për biznesmenë, në brigjet e liqenit me të njëjtin emër në kufi me Italinë.

Adresa është: Rruga Stefano Franscini 11 6900, Lugano, Sëitzerland (Zvicër).

Mësohet se Ahmetaj banon dhe me bashkëshorten e vet Erjola Hoxha dhe vajzën.

Marrëveshja është firmosur nga Arben Ahmetaj dhe Erjola Hoxha më 15 janar 2024.

Sipas dokumenteve të kontratë të cilat janë publike, pagesa e kontratës së lobimit është marrë përsipër nga partnerja e tij Erjola Hoxha, babai dhe kunata e saj si dhe nga një tjetër person me lidhje familjare të saj, Ermand Hoxha, me nënshtetësi dhe banim në Shtetet e Bashkuara.

Ahmetaj është në arrati nga drejtësia shqiptare, i kërkuar që nga qershori i vitit të kaluar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ai dhe familjarë të tij kanë përfituar vila dhe pagesa me vlerë qindramijëra euro nga biznesmenët në Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, gjithashtu në arrati nga drejtësia shqiptare. Sipas SPAK, Zoto ka përdorur kartën e tij bankare si dhe llogaritë e kompanisë ITS për të paguar shpenzime të ndryshme për Ahmetajn dhe të afërm të tij, përfshirë hotele luksi në vende të ndryshme apo shpenzimet për rinovimin e një apartamenti.

Ahmetaj pretendon se është i pafajshëm ndaj akuzave. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se ka marrë kërcënime me jetë, ndërsa nuk zbuloi se ku gjendej. Ai i kërkoi SPAK të hetojë çështjen e incineratorit të Tiranës përmes praktikës së “ndjekjes së parave”, ndërsa deklaroi se rezultatet e një hetimi të tillë do ‘t’i trondisin shqiptarët’.

Zyrtarisht, SPAK është ende duke hetuar në shumë drejtime skandalin e incineratorëve, i cili u ka kushtuar shqiptarëve deri më sot minimalisht 150 milionë euro. Veçmas, Ahmetaj akuzohet për abuzim me detyrën në dëm të pronarëve të tokës në rastin e privatizimit të një ngrehine shtetërore që dikur ka qenë fabrikë buke në rrugën 5 maji në Tiranë. Sipas akuzave, Ahmetaj refuzoi të zbatojë një vendim gjykate që i kërkonte të rivlerësonte aksionet që i takonin pronarëve të tokës në kompaninë shtetërore para privatizimit, duke i hequr atyre pjesën dërrmuese të asaj që gjykata i kishte caktuar dhe duke e shitur tokën si aset të kompanisë në ankand./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *