Subscribe

Policia italiane zbuloi në brigjet e Pulias plot 650 kilogramë mariuhanë si dhe një mjet lundrues të braktisur. Droga u gjet në komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano, mbas murit rrethues të një vile pushimi. Aty ishin hedhur 137 pako me lëndë narkotike. Ndërkohë pak më tutje në breg të detit u zbulua edhe gomonia. Dyshimet paraprake flasin se lënda narkotike vinte nga Shqipëria, ndërsa po hetohet për të zbuluar shkaqet e braktisjes së ngarkesës. Sipas policisë, pakot ishin fshehur në mënyrë që trafikantët të ktheheshin në një moment të dytë pasi mund të kenë hasur probleme në momentin e mbërritjes. Ka qenë një banor i zonës ai që ka parë drogën në vilën e pushimit, e cila sipas policisë, banohej vetëm gjatë sezonit veror. Në një tjetër aksion, policia e Fierit sekuestroi brenda pak orëve kanabis, fara bimësh narkotike, armë zjarri e municione. Gjatë operacionit të koduar “Povelcë” u arrestua 41-vjeçari Lavdimir Kapaj pasi në banesën e tij u gjetën dhe dy armë zjarri automatik dhe 23.2 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë gjatë një kontrolli rutinë në një “benz”, me targa të Vlorës, policia gjeti fara kanabisi dhe fishekë. Makina u ndalua nga policia në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rrepeve Fier”, dhe nga kontrolli i ushtruar, pasagjerit Mikel Isaj iu gjetën në çantën e tij të brezit 8 fishekë dhe 1 copë letër alumini me 50 fara bime narkotike. Nga verifikimet e kryera, doli se makina ishte e vjedhur dhe e trafikuar në Shqipëri dhe për këtë arsye policia nisi procedimin penal për shoferin. Që prej së premtes, policia nisi një aksion të gjerë antikanabis. Vetëm në ditën e parë të operacionit, i cili pritet të vazhdojë u arrit të kapej mbi 1 ton hashash në Vlorë Shkodër Krujë e Gjirokastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *