“Një ditë kushtuar Drejtësisë” erdhi natyrshëm në Pukë, pas një pune të gjatë dhe intensive të të rinjve dhe fëmijëve për të sjellë mesazhe për zbatimin e drejtësisë miqësore për të rinjtë nëpërmjet artit.

 

Shtëpia e Artit dhe Kulturës “Ndue Shyti” Pukë hapi dyert dhe mirëpriti fëmijë, të rinj, prindër, mësues, pjesëmarrës nga Puka, Shkodra, Lezha dhe Tirana kushtuar ditës së drejtësisë miqësore për fëmijët, si dhe artdashës për të parë premierën e minidramës “Besmir”, një shfaqje teatrale e cila për herë të parë është krijuar nga të rinjtë dhe e interpretuar nga ata, në kuadrin e projektit “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të të miturve në konflikt e në kontakt me ligjin”, zbatuar nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” me mbështetjen e UNICEF Shqipëri dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

 

Minidrama “Besmir” ishte jo vetëm një zbulim dhe zhvillim i talenteve të reja në aktrim, art, recitim, por edhe një mënyrë ndërgjegjësimi për të gjithë qytetarët për rehabilitimin, integrimin e të miturve në konflikt/kontakt me ligjin dhe krijimin e modeleve pozitive për bashkëmoshatarët. Nëpërmjet interpretimit të shkëlqyer dhe energjisë së aktorëve të rinj shfaqja arriti të përcjellë tek shikuesit jetën reale të shumë fëmijëve dhe të gjithë sistemin me proceset që kalon një i mitur kur kryen një vepër penale deri në rehabilitimin dhe integrimin e tij në shoqëri.

 

“Ndihesh plot shpresë kur i sheh këta fëmijë dhe të rinj që janë gjithë ide, që gjejnë kuptimin e jetës, që ndërtojnë rrugën e së ardhmes së tyre dhe e bëjnë më kuptimplotë jetesën në komunitet me nisma gjithëpërfshirëse”.

 

 

Rreth 200 spektatorë duartrokitën emocionet e përcjella nga të rinjtë dhe për mesazhin e qartë që dhanë: “Ajo çfarë pamë sot në këtë shfaqje, është një paraqitje kuptimplotë, e pastër, me emocione dhe ngjyra artistike e gjithë procesit që Ministria e Drejtësisë, institucionet e Drejtësisë dhe institucionet e tjera referuese zbatojnë për drejtësinë miqësore për fëmijët. Kjo shfaqje përcjell mesazhin dhe ndërgegjësimin e duhur!” – u shpreh Zëvendës Ministri i Drejtësisë, z. Klajd Karameta.

 

Nxitja e të rinjve për integrimin dhe ri-integrimin e tyre social nëpërmjet veprimtarisë artistike, kulturore dhe komunitare ka vijuar më tej, ku vetë të rinjtë nismetarë kanë përçuar mesazhe të tolerancës, respektimit të dinjitetit, barazisë, solidaritetit, përgjegjësisë, dhe përdorimit të formave paqësore të menaxhimit të konflikteve mes të rinjve në Shkodër me “Rrethin e Paqes” dhe në Pukë me ekspozita me vizatime e mbjellje lulesh, duke angazhuar dhe prindërit e tyre në aktivitete komunitare për promovimin e barazisë së roleve gjinore në familje dhe komunitet.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *