Zbardhen tre propozimet e opozitës në Këshillin Politik të tryezës për reformen zgjedhore.

Propozimet e përfaqësuesve të opozitës Bylykbashi dhe Vasili lidhen me financimin e partive, rolin e grave dhe kohën e zgjedhjeve.  Po ashtu është kërkuar edhe përjashtim nga tenderat të financuesve privatë në zgjedhje.

Opozita thotë se këto propozime konkrete synojnë të largojnë partitë nga korrupsioni politik, t’i emancipojnë ato me pjesëmarrjen reale të grave dhe vajzave dhe të rrisin pjesëmarrjen në proces, duke i vendosur zgjedhjet në një periudhë të përshtatshme.

Më poshtë tre propozimet e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore:

1. Financimi i partive.

Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eleminon korrupsionin.

Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë  partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike.  Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.

Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

2. Kuota gjinore

Në mënyrë  që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet.  Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.

3. Periudha zgjedhore

Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *