Subscribe

​Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën ka diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

 

Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.”, ka shkruar Osmani në Facebook.

 

Pas këtij shkrimi, presidenca ka dhënë më shumë detaje nga takimi i presidentes Osmani me kryeministrin Rama.

 

Në takim, sipas komunikatës, u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit, raporton Kosova Press.

 

Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.

 

“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë.”, u bë e ditur në komunikatë.

 

Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, siç u bë e ditur, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

 

Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Osmani falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në partneritet për paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.

 

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

 

Ndërkaq, ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *