Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov më në fund është dorëzuar dhe i ka dhënë mandatin liderit socialdemokrat Zoran Zaev për formimin e qeverisë. Pasi kishte këmbëngulur prej javësh se duheshin garanci për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, ai pranoi gjatë dhënies së mandatit se pengesat që ekzistonin janë shmangur dhe tani duhen përmbushur detyrimet kushtetuese.

 

“Pengesat për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë së re janë mënjanuar. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja e cila ka shumicën në Kuvend ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do të ndahet mandati për formimin e Qeverisë”.

 

Edhe mandatari Zoran Zaev deklaroi se pengesat për ndarjen e mandatit janë tejkaluar. Ai theksoi se garanton karakterin unitar të shtetit dhe integritetin territorial. Asnjë dokument, platformë, ose veprim në kundërshtim me to, nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë. Pas marrjes së mandatit Zaev tha se kabineti do të formohet shumë shpejt.

 

“Brenda 10 ditëve do të formohet qeveria e re. Kam garantuar një Maqedoni unitare, multietnike dhe të pavarur. Përveç BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët dëshiroj që në qeverinë e re të përfshihet edhe Lëvizja Besa”.

 

Edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e vlerësoi pozitivisht dhënien e mandatit nga presidenti Ivanov dhe pritet të caktojë seancën për votimin e saj. Një reagim erdhi edhe nga Brukseli, që ka ushtruar jo pak presion ndaj kreut të shtetit për zbatimin e kushtetutës. Në një deklaratë të përbashkët të shefes se diplomacisë së BE, Mogherini dhe komisionerit për Zgjerimin, Hahn përshëndetet vendimi i Ivanov dhe kërkohet qe fryma konstruktive të vazhdojë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *