Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pret që Ligji për Gjuhët të miratohet deri në fund të javës. Kështu është shprehur ai gjatë një deklarate për media pas dështimit të tentativës për kalimin e ligjit në parlament.

 

“Besoj që mundësia që të gjithë deputetët e shumicës parlamentare e ofruan për ta menduar dhe biseduar është me rëndësi. Dialogu është i rëndësishëm. Ne bisedojmë dhe do të bisedojmë për këtë, por këtë javë ligji duhet të miratohet përfundimisht”.

 

Ai komentoi edhe deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili është shprehur se do të mbështesë ligjet e reformës së LSDM-së, vetëm nëse tërhiqet ligji për Gjuhën shqipe.

 

Zaev i cilësoi deklaratat si kopje të qëndrimeve të ish kreut të VMRO-së Nikolla Gruevski.

 

Nga ana tjetër Mickoski i bëri thirrje kryeministrit Zaev që të tërhiqet nga ky ligj, duke i ofruar mbështetje për të gjitha ligjet e tjera reformuese.

 

Lidhur me deklaratat e opozitës, reagoi edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Ai  i quajti qëndrimet e Mickovskit si tendenca për të përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa theksoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve mbetet i pa negociuar.

 

Megjithatë, kuvendi nuk ka caktuar ende datën për miratim.

 

Sa i takon 35 mijë amendamenteve te opozitës, mediat shkruajnë se kreu i parlamentit Talat Xhaferri nuk do t’i kalojë për shqyrtim.

 

Ligji i shumë debatuar u votua më 11 janar, por u kthye nga presidenti Gjorge Ivanov. Nga ana tjetër, shumica pret që në fazën e tretë ligji për gjuhët të kalojë me 71 vota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *