Subscribe

Pas takimeve me liderët e BE në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u zhvendos në Greqi ku takoi zyrtaret e Athinës për të diskutuar mbi veton e Bullgarisë ndaj Shkupit për hapjen  e negociatave.

Gjatë forumit ekonomik “Delfi” në Athinë, Zaev kërkoi ndihmë për të gjetur  një zgjidhje të shpejtë me Sofjen.

 

ZORAN ZAEV

KRYEMINISTRI I MAQEDONISE SE VERIUT

 

“Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje me Bullgarinë,por  na duhet ndihmë nga Greqia, e cila tani është partneri ynë strategjik.  Bullgaria e shpiku këtë çështje. Unë nuk mund ta shpjegoj cili është problemi tani, sepse është problem qesharak, problem që nuk ekziston. Duhet të bëjmë vetëm një hap para, e ai hap është – Konferenca Ndërqeveritare.”

 

Zaev theksoi se Shkupi ka punuar shumë për të bërë hapa konkrete për integrimin në Bashkimin Europian, duke përfshirë këtu edhe ndryshimin e emrit.

 

“Ne kemi zgjidhur çështjen e emrit të vendit tim, për të mos vonuar, për të mos llogaritur, për t’i dhënë rajonit një Ballkan të ri, një Ballkan të shekullit 21 në të cilin e kaluara nuk do të jetë pengesë për një të ardhme të përbashkët Evropiane.  Jam krenar që Maqedonia e Veriut arriti një marrëveshje me Greqinë dhe që sot ne jemi anëtare të NATO-s. integrimi në BE i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunimi intensiv rajonal hedhin bazat për zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen e rajonit.”

 

Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-bullgare. Por Maqedonia e Veriut ka theksuar se identiteti dhe gjuha e saj janë të pa negociueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *