Subscribe

Shtetet e Bashkuara te Amerikës i kanë kërkuar Partisë Demokratike të distancohet nga lideri i saj historik Sali Berisha. Dy muaj pasi Berisha u shpall “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, ambasadorja Yuri Kim i ka shkuar në zyrë kryetarit të PD Lulzim Basha për t’i bërë të qartë se Shtetet e bashkuara presin që Sali Berisha të mos jetë më pjesë e partisë demokratike. Dhe për të mos lënë asnjë hapësirë për hamendësime, diplomatja amerikane këtë kërkesë e artikuloi publikisht edhe para gazetarëve.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA 

“Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetrarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.”

 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar se partia që rrezoi diktaturën nuk mund të mbahet peng nga një njeri i vetëm si Sali Berisha; duke përdorur edhe një shprehje të famshme për kohën e regjimit komunist.

 

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë  gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës.”

 

Diplomatja amerikane e ka bërë të qartë se kjo është një çështje e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara; duke u kujdesur të ndajë politikanin Sali Berisha nga historia e Partisë Demokratike.

 

Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës. Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator. Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri.”

 

Në 19 maj Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken shpalli “non grata” liderin historik të partisë demokratike Sali Berisha për akte korruptive dhe minim të demokracisë.

 

Vete Berisha reagoi kundër këtij vendimi duke lajmëruar një padi ndaj sekretarit Blinken në Francë e duke përsëritur se ai do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë si deputet i Partisë Demokratike.

 

Por nga ana tjetër kryetari i demokrateve Lulzim Basha ka zgjedhur të heshtë për raportin që Partia Demokratike do të ketë me Sali Berishen, duke iu shmangur çdo komenti për këtë çështje.

 

Por pas deklaratës së ambasadores, duket se Basha ka kohë deri në shtator për të vendosur nëse do të dëgjojë apo jo mesazhin amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *