Drejtuesi Politik i PD në Dibër, Xhelal Mziu nuk është i kënaqur me fitoren e ngushtë që PD ka siguruar në këtë qark. Demokratët morën tre mandate, krahasuar me dy të PS, dhe kjo për Mziun është fitore me mund.

 

Në një intervistë për “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus”, me gazetarin Thimi Samarxhiu, kandidati i PD dha si arsye për këtë blerjen e votave, që sipas tij, kanë bërë kundërshtarët politikë.

 

“Java e fundit e votimeve prishi të gjithë ekuilibrat e nevojshëm politik dhe fitorja u konsiderua një fitore e mundimshme dhe me një rezultat të ngushtë, që nuk është realitet i asaj se çfarë duhet të ndodhte më 25 prill. Kemi evidentuar disa probleme që kanë ndikuar që pritshmërinë e votave, ka qenë blerja e votave. Së dyti, gjatë gjithë kësaj periudhe është hapur Kodi Zgjedhor, janë intimiduar dhe larguar punonjësit e administratës. U ndrydh entuziazmi, pjesëmarrja. Është një situatë shumë e dhimbshme të jesh në vitin 2021 dhe qytetarët të intimidohen kështu, është shumë e dhimbshme. Është kriminale blerja e votës, jo fjala për të mbrojtur votën.”

 

Sa i takon rastit të shitblerjes së votës në Dibër, të goditur nga policia gjatë fushatës elektorale, Xhelal Mziu tha se nëse ky operacion nuk do të ishte kryer, më shumë vota për PD do të ishin vjedhur dhe Dibra do të ishte e humbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *