Gjatë një aktiviteti kushtuar operacionit “Forca e Ligjit”, Ministri I Brendshëm Xhafaj I konsideroi akuzat ndaj tij si sulme për të zbrapsur punën e tij dhe të policisë shqiptare, të cilat I konsideron të suksesshme pasi janë goditur disa grupe kriminale.

Nxjerrja e Shqipërisë pas 25 vjetësh nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis përbën një ndër sukseset tona më të rëndësishme në këtë periudhë. Numri i veprave penale dhe në tërësi treguesit e nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij 6 mujori, janë në nivelet më të ulëta historik, përfshirë këtu dhe numrin e vrasjeve, aksidenteve etj.

 

Operacioni “Forca e Ligjit” është tashmë një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftën kundër krimit të organizuar, në sajë të këtij operacioni janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, disa të tjera janë në proces investigimi dhe hetimi. Për të pasur këtë performancë, është dashur shumë punë dhe vetëm punë, kohë dhe pune pa orar e me plotë përkushtim, seriozitet dhe përgjegjshmëri, por jo edhe pak sakrifica për tu përballur me lloj-lloj sulmesh e presionesh që kanë provuar dhe vazhdojnë të tentojnë të ta shfokusojnë nga prioritetet tona, të na demotivojnë dhe të na zmbrapsin. Sondazhet më të fundit tregojnë një fakt shumë të rëndësishëm dhe domethënës, rreth 63% e qytetarëve kanë besim tek Policia dhe vlerësojnë me nota shumë pozitive punën e saj.

 

 Politika e pozicionuar kundër qeverisë duhet të ketë kurajën që të njohë punën plot sakrifica të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të vlerësojë rezultatet pozitive në luftën kundër krimit të organizuar. Jam sinqerisht shumë i keqardhur kur shikoj që kjo lloj politike e vjetëruar jo vetëm nuk e bën këtë gjë, por përkundrazi me një papërgjegjshmëri politike sulmon Policinë e Shtetit, e më keq akoma e bënë këtë edhe në rastet kur operacionet e kësaj policie të bëra ose të koordinuara me partnerët ndërkombëtar kanë prodhuar rezultate shumë të mira në luftën kundër krimit të organizuar. Është komplet e papranueshme dhe e pajustifikueshme dhe i shërbejnë interesave të botës së krimit, përcaktimi i Policisë së Shtetit me terma të tilla si “forca e krimit” ose “narko-policia”, etj.

 

Ne kemi qenë dhe mbetemi të ndërgjegjshëm se lufta që kemi nisur kundër grupeve të ndryshme kriminale do të prodhojë kundër reagim të fortë të këtyre të fundit. E mirëpresim këtë dhe jemi të përgatitur. Çdo ditë shikojmë dëshmi konkrete të këtij kundër reagimi kriminal, por nuk kemi pritur dhe nuk ka kuptim që të prisnim që dhe një pjesë e rëndësishme e politikës të kundër reagonte kështu kundrejt punë së Policisë së Shtetit dhe rezultateve që po arrihen nga kjo punë.

 

Uroj që kjo pjesë e politikës të ndriçohet dhe kuptojë se cili është misioni i saj dhe sesi duhet të përmbushë ajo këtë mision. Në luftën kundër krimit do të duhej që ne  të ishim të gjithë bashkë. Akuzat dhe kundër akuzat, shpesh edhe të ulëta nuk e bëjnë serioze politikën në sytë e qytetarit dhe nga ana tjetër jo vetëm janë kundër produktive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *