Xhaçka: BE të ketë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka kërkoi nga Bashkimi Evropian të ketë një qasje më strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor. Gjatë një takimi që pati me ministren e Jashtme të Bosnje Hercegovinës, Bisera Turković, Xhaçka tha se BE duhet të kuptojë që integrimi do të zhvillojë rajonin.
“Ky është një moment i rëndësishëm për vendet tona, sa i takon aspiratave të përbashkëta për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Shqipëria gjendet në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina pret marrjen e statusit kandidat. Por besoj që është koha, që BE të ndërmarrë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë, duke kuptuar fuqinë që ka ëndrra e integrimit Evropian në transformimin dhe zhvillimin e rajonit.”
Në anën tjetër, Xhaçka mirëpriti vendimin e Bosnje dhe Hercegovinës për të hapur së afërmi një përfaqësi rezidente në Tiranë. Po ashtu, ajo kërkoi nga homologia që të gjendet një zgjidhje konkrete për disa nga problemet me Kosovën, si njohja e dokumenteve apo lehtësimi i procedurave të vizave.




